Lajme

25 vjet burg ndaj burrit nga Prishtina, vrau bashkëshorten për motive xhelozie

02/12/2024 13:45
nga:G C

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim Ragip Gashin, për akuzën se kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij M.G i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake.

Aktgjykimi ndaj Gashit u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gashi për “Vrasje të rëndë” u dënua me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 2 vite burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 25 vjet burgim.

Ndryshe, aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Gashi.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ragip Gashi më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake e privon nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

Aktakuza thotë se derisa tani e ndjera M.G kishte shkuar mysafir te familjarët e saj dhe ishin duke ndenjur, me ç’rast i pandehuri Gashi e ka thirrur në telefon duke i thënë që ka shkuar për ta marrë në shtëpi, dhe tani e ndjera duke mos dyshuar asgjë është nisur për të shkuar te i pandehuri.

Tutje, sipas aktit akuzues, i pandehuri Gashi i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë, ndërsa vëllai i saj i dëmtuari-dëshmitari Xh.H e kishte përcjellur, papritmas atyre iu ka dalë në pritë i pandehuri Gashi me revole në dorë, i cili me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës M.G., duke e qëlluar me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit, ku njëri plumb e ka goditur në zemër, me ç’rast M.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, i akuzuari Ragip Gashi, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e II të aktakuzës thuhet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin I të akuzës, i pandehuri Gashi në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit Xh.G dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të dëmtuarit – dëshmitarit Xh.H me ç’rast e qëllon dy herë me plumba në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën. Me ç’rast, për këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Po ashtu, i akuzuari sipas dispozitivit të III, prej datës së pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë ka mbajtur në pronësi dhe kontroll, armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.

Me këtë, i pandehuri Gashi akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.