“Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta”, tha kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme.
Por, për këtë deklaratë kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se dëshiron të besojë se i referohet komunitetit serb.
“Kjo deklaratë e Kryeministrit, dua ta besoj se është deklaratë që i referohet komunitetit serb, por, duke mos qenë e përcaktuar përkatësia nacionale, edhe mund të keqkuptohet. Keqkuptimi mund të ngjaj me ata që u përfshin në luftën çlirimtare, në anën e kundërt me luftën për nënshtrim të Kosovës të zhvilluar nga Serbia. Pra, kur thuhet lufta, ajo i ka dy skaje, ne që luftën çlirimtare e kishim të pashtyshme dhe të paevitueshme për çlirim, dhe ata që luftën e shndërruan në varreza masive ndaj qytetarëve të paarmatosur dhe gjenocid nga regjimi i Serbisë. Lufta çlirimtare, për qytetarët e Kosovës, ishte vet liria, për shtetin që e drejton kryeministri aktual”, tha Lladrovci.
Lladrovci për GazetaBlic thekson se, Kurti e trashëgoi shtetin me demokracionë më të qëndrueshme në rajon.
Lladrovci tutje shton se, Kosovën edhe e kanë quajtur storje suksesi.
“Më 2021, nga “politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit”, e trashëgoi shtetin funksional me demokracinë më të qëndrueshme në rajon, shtet me të gjitha institucionet e ndërtuara me mund e përkushtim me aleatët, BE-në, ShBA-në dhe NATO-n. Për të gjithë politikanët ndërkombëtarë dhe me peshë, hiq ata të vijës serbo-ruse, Kosovën e kanë quajtur dhe quajnë storje suksesi”, tha Lladrovci.
Tutje ai thotë se këtë deklaratë të kryeministrit nuk e merr si të drejtuar ndaj çlirimitarëve.
“Kosova është shtet i lirë, demokratik, në tranzicion që ecjen përpara e ka detyrë ditore, andaj, nuk e marrë këtë referencë të Kryeministrit të drejtuar ndaj çlirimtarëve dhe popullit liridashës që institucionet më domethënëse i vlerësojnë arritjet e Republikës së Kosovës”, tha Lladrovci për GazetaBlic.
Kujtojmë se kryeministri Kurti dje përmes një videoje akuzoi ish-qeveritarët për politikë të gabuar.
Sipas Kurtit, ata që kanë qenë në qeveri kanë lënë popullin të varfër dhe janë kujdesur për jetën e tyre luksoze.“Lufta, dhe më pas politika e gabuar e politikanëve që ishin në krye të shtetit, lanë pas popullin pa përkujdesje, të varfër dhe të ekspozuar ndaj organizatave dhe bandave kriminale, derisa kujdeseshin për jetën luksoze të tyre dhe atyre që bashkëpunuan me ta”, tha Kurti.