Lajme

AAK-ja: Kosova nuk mund të përballojë sanksione të reja

02/11/2024 14:53
nga:G C

Paralajmërimet e faktorit ndërkombëtar për pasoja për Kosovën për shkak të vendimit që heq dinarin nga përdorimi përmes rregullores së BQK-së, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë shqetësuese. Deputetja nga radhët e kësaj partie, Time Kadrijaj thotë se Kosova nuk mund të përballojë sanksione të reja derisa ende vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së.

Ajo ka kritikuar qeverinë për moskoordinim me partitë opozitare si dhe me aleatë ndërkombëtarë për vendime që janë të ndjeshme, si ai për dinarin, teksa flet edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e reja në vend.

“Duke dëgjuar dhe duke pasur takime me aleatët tanë po thuhet se Kosova mundet me pas sanksione të reja, sesa që i ka. Sa është Kosova është në gjendje t’i përballojë këto sanksione? Vërtet këto janë të ndikueshme, pasi derisa jemi nën sanksione, Kosova ka humbur miliona euro dhe përkrahje nga fondet e BE-së. Tash nëse rëndohet me sanksione të reja, nuk e di se kah po shkon”, theksoi Kadrijaj për KSP-në.

Sipas deputetes, në çështjet që janë në interes për vendin kryeministri Kurti duhet të koordinohet edhe me opozitën dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Kurti duhet me pas një qasje të lidershipit dhe në situata të tilla të cilat janë të ndejshme dhe që janë në interes të Kosovës është dashur të ketë një pajtim edhe me liderët e partive opozitare dhe partive politike në nivel vendi, por njëkohësisht edhe me aleatët tanë”, shton ajo.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, deputetja Kadrijaj ka thënë se Kurti ndonëse vazhdimisht e ka kundërshtuar atë sa ishte në opozitë, tani në pushtet ka pranuar një draft me kompetenca ekzekutive.

“Kurti e ka pranuar marrëveshjen, e ka pranuar edhe draftin e Asociacionit, duke ditur se e ka kundërshtuar Asociacionit, duke thënë se në momentin që do të vjen në qeveri, asnjë marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel do t’i zhbëjë ato. Ka premtuar se nuk do të merret me dialog, nuk do të shkojë në tavolinën e diskutimeve dhe në bazë të gjitha atyre premtimeve që ka ardhur në pushtet i ka thyer ato. Tek çështja e draftit të Asociacionit, ai është një prej drafteve më të këqija prej të gjitha drafteve të tjera. Edhe ShBA-ja ka insistuar që të hartohet një draft i Asociacionit nga pala kosovare dhe që do të kishte qenë e ndërlidhur me Kushtetutën e Kosovës, kurse tash kemi një draft që nuk është i mirë për Kosovën dhe që ofron një pushtet të tretë dhe që ka kompetenca ekzekutive. Të gjitha këto veprime Kurti i bënë që t’i qet nën hije pranimin e Asociacionit”, thotë ajo.

Sipas saj, me gjithë këto veprime të qeverisë vendi ka nevojë për zgjedhje të reja por thekson se opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë. Shton se vetë kryeministri Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje për shkak të mosgatishmërisë për të zbatuar Asociacionin dhe obligimet e tjera të marra në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Ne kemi insistuar se sa më shpejtë që kjo qeveri shkon në shtëpi është më mirë për Kosovën. Mirëpo ju e dini se opozita nuk i ka 61 vota dhe është Kurti që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje. Duke parë këtë trysni tash dhe duke parë atë që po kundërshtohet pranimi i të gjitha marrëveshjeve pa kushte dhe pranimi i draftit të Asociacionit, Kurti do të tentojë që para se të fillojë t’i zbatojë këto marrëveshje ta dërgojë vendin në zgjedhje”, është shprehur ajo./KP