Lajme

Kavajë: Dyshohet se rrahu nënën për vdekje, arrestohet 35-vjeçari, thuhet se ka të meta mendore

02/11/2024 14:40
nga:G C

Policia shqiptare ka arrestuar këtë të diel një 35-vjeçar në Kavajë, për shkak se dyshohet se nënën e tij 75-vjeçare e ka rrahur për vdekje.

I dyshuari është me të meta mendore, sipas policisë shqiptare.

Fillimisht dyshimet ishin se viktima kishte ndërruar jetë nga vdekja e natyrshme. Ajo u gjet e pajetë të shtunën, në banesën ku jetonte me djalin e saj.

“Në momentet e para, nga këqyrja e jashtme paraprake e trupit të 75-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe ngjarja është raportuar si vdekje natyrale. Pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja I. S. kishte disa orë që kishte humbur jetën. Gjithashtu, rezultoi se djali i saj, shtetasi N. S., i cili vuan nga sëmundje mendore, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 75-vjeçares, dhunë e cila i kishte shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës”, shkruan në njoftimin e policisë shqiptare.