Lajme

Konjufca për dinarin: Kosova i merr vendimet vetë, por jo të njëanshme

02/10/2024 13:58
nga:Sh R

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk beson se do të ketë lëkundje të relacioneve në mes Kosovës dhe shteteve mike të saj pas vendimit të BQK-së për dinarin.

Konjufca tha se shtetet mike gjithnjë e këshillojnë dhe e shtyjnë përpara Kosovën që të veprojë ashtu siç mendojnë ato, por sipas tij, Kosova është ajo që i merr vendimet vetë dhe “kurrë nuk i merr vendimet në mënyrë të njëanshme ashtu siç po pretendohet.

“Çështja për dinarin është ditur qysh moti që Lëvizja Vetëvendosje ka pritur tash e tri vite për ta marrë këtë vendim. Ndërkombëtarët e kanë ditë që nën qeverisjen e VV-së do të merret një vendim i tillë sepse kur kanë qenë në pushtet formacione të tjera, nuk është zbatuar një rregull që është e shkruar. Dinari ilegal në Kosovë është prej kur ka hyrë në fuqi euro”.

Ai beson se pas vendimit të fundit të BQK-së nuk do të ketë masa të reja ndaj Kosovës.

“Ne i sigurojmë që kurrfarë efekti negativ në jetën e serbëve kjo nuk do të ketë. Problemi është tek paraja ‘kesh’ që po iu vjen serbëve me thasë. Disa njerëz pastaj po e lidhin popullatën serbe me këto, me shantazh, me kontroll, ky është problemi, e nuk është problemi që serbët do të mbesin pa pensione e paga. Nuk besoj që do të ketë masa të reja”, tha ai.