Lajme

Haxhiu: Pas sulmit në Banjskë s’do duhej të vazhdonte dialogu me formatin aktual

02/08/2024 20:02
nga:G C

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë nga grupi i armatosur nga Serbia, Kosova s’do duhej të kthehej në tavolinën e dialogut me formatin aktual.

Ai duke kritikuar qasjen e Qeverisë në dialog tha se Marrëveshja e Ohrit nuk soli normalizim.

“Gabimi tjetër i kësaj qeverie është se pas rastit të Banjskës nuk ka arritur që të ndikojë te faktori ndërkombëtar për ndryshim të formatit të dialogut, sepse mendoj pas Banjskës nuk do duhej me kthy në tavolinën e bisedimeve me këtë format të dialogut për normalizim, ku Serbia dhe Vuçiqi në njërën anë kanë dialoguar në anën tjetër kanë përgatitur grupe terroriste për destabilizim të Kosovës”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.

Haxhiu tha Qeveria do duhej që lobonte të aleatët sidomos me ShBA-në që të ketë ndryshim formatit të dialogut dhe të shkohej me një Traktat të Paqes. Sipas tij, në situatën aktuale nuk mund të flitet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Pas sulmit terrorist në Banjskë, ku një polic i Kosovës kishte mbetur i vrarë edhe krerët shtetëror kishin thënë se nuk ka kuptim vazhdimi i dialogut. Ndërsa, BE e ShBA duke dënuar sulmin dhe kërkuar që përgjegjësit të dhënë llogari kishin bërë thirrje për vazhdim të dialogut.

Që pesë muaj nuk ka pasur takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.