Lajme

Arrihet marrëveshje për ndërprerjen e grevës së punëtorëve teknik të shkollave në Prishtinë

02/08/2024 15:53
nga:Y I

Nënkryetarja e Kryeqytetit dhe U.D e detyrës së Drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku sot gjatë ditës u takua me Kryetarin e Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, me të cilin diskutuan për grevën e punëtorëve tenik të mirëmbajtjes të objekteve shkollore në kryeqytet.

Nënkryetarja Lushaku dëgjoi kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknik të prezantuara nga Kryetari i Sindikatës, z.Jusuf Azemi, për të cilat tha se do të trajtohen menjëherë.

Palët gjatë takimit arritën marrëveshje.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit.

“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknik në objektet shkollore të Kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, z. Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërpreje të grevës nga nesër meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave” – deklaroi nënkryetarja Lushaku.

Po ashtu me Azemin, nënkryetarja u dakordua që gjatë javës të takojë punëtorët teknik të shkollave në kryeqytet.