Lajme

Seanca e jashtëzakonshme, Kurti dhe Vuçiq përballë njëri-tjetrit sonte në KS të OKB-së

02/08/2024 14:11
nga:N K

Sot e enjte në New York do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, e paraparë me kërkesë të Serbisë.

E lidhur me këtë, nga Qeveria kanë njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar mbrëmë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla-Schwarz.

Sipas njoftimit, kryeministri pritet që të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku do të përballet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Seanca pritet të fillojë nga ora 21:00.

Serbia ka dashur që seanca të jetë e hapur në kërkesën që ia ka bërë Ministrisë së Jashtme të Guajanës, e cila aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit.

Të hënën, Serbia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, për të cilën pretendojnë se është “në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Do të diskutohet për vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.

Dy herë në vit, në prill dhe tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë, ku diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit e tillë u mbajt më 23 tetor 2023./Blic