Lajme

Krasniqi: Varfërimi dhe përbuzja e qytetarëve – qëllimi i vetëm i këtij pushteti

02/08/2024 13:20
nga:G B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit për miratim të propozim rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Me anë të një reagimi në Facebook, Krasniqi e ka quajtur të turpshëm dështimin e miratimit të kësaj rezolute të propozuar nga vetë PDK-ja.

“Është vërtetë i turpshëm dështimi i miratimit të Rezolutës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, përmes së cilës kemi kërkuar anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe heqjen e bllok-tarifës”, shkroi ai.

Me 29 vota pro, asnjë kundër dhe 55 abstenime, ka dështuar të miratohet propozimrezoluta, në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Kreu i PDK-së ka theksuar se abstenimi i deputetëve nga ana e LVV-së, është “një tjetër dëshmi se varfërimi dhe përbuzja e qytetarëve të Kosovës, është qëllimi i vetëm i këtij pushteti”.

“Natyrisht, atyre që e mbrojnë në çdo mënyrë e me çdo kusht Martin Berishajn e Nagip Krasniqin, nuk iu bëhet vonë për ankesat e shumë konsumatorëve që kanë pranuar e paguar fatura me çmime enorme përgjatë këtij dimri”, shtoi më tej ai.

Në këtë projektrezolutë i është rekomanduar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin, përkatësisht heqjen e blloktarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

ZRRE-së i është rekomanduar të ndërmarrë masa në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.