Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për pagat e sektorit publik dhe atë privat, për të cilën sipas tij, janë tmerruese.
Në fjalimin e tij të mbajtur në seancën e Kuvendit, Tahiri tha se rritja më e madhe e pagave është tek kryeministri, ministrat dhe të emëruarit politik, ku sipas tij thuhet se është rritja më e madhe mbi 50%.
“Për tri vite rresht është diskutuar për pagat në sektorin publik dhe pagën minimale, pagat në sektorin publik janë tmerri i tmerrit, realisht rritje tek 80 % te administrata e shërbyesve civil ka vetëm prej 20 deri 40 euro. A e din ku është rritja më e madhe? Rritja më e madhe është tek kryeministri, ministrat tek të emëruarit politik, aty është bërë rritja më e madhe mbi 50%”, deklaroi Tahiri.
Sipas Tahirit, paga e sektorit privat është ajo që ka qenë para 11 viteve.
Tahiri ka kërkuar që paga minimale në Kosovë, në sektorin privat të jetë 400 euro, ku në të përfshihen veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ndalemi tek paga në sektorin privat tek qytetarët e Kosovës paga minimale është ajo që ka qenë para 11 viteve. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro dhe në të përfshihen edhe veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në të cilën janë larguar në atë ligj dhe tani ky ligj është në Gjykatë Kushtetuese”, tha Tahiri.
Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka akuzuar që Qeveria nuk e ka miratuar ligjin për sigurime shëndetësore.
Ai ka shtuar se jeta në Kosovë është në varfëri.
“ Pse nuk vjen sigurimi shëndetësor dhe cila është arsye që tri vite, nuk keni arritur me e pru një ligj sigurime shëndetësore”.Reflektoni edhe pse është viti i fundit, po kjo duhet të jetë baza e diskutimit e ballafaqimit dhe e llogaridhënies të kësaj Qeverie, aferim për çdo punë qe e keni bërë në Veri. Por mos u mundoni me i shit hije syve të popullit për shkak se jeta është varfëri, ndërsa ekonomia është dobësuar”, thuhej në fjalimin e tij.