Seanca e kësaj të enjteje ka zgjatur rreth 20 minuta në Kuvendin e Shqipërisë, e ashtu si herët e shkuara është shoqëruar me zhurmë e tensione. Edhe pse me 23 deputetë mangët në sallën e Kuvendit, opozita ka vijuar me mosbindjen civile duke penguar diskutimet në rend dite.
Që pa nisur seanca, deputetë të PD-së të përjashtuar nga Komisioni i Etikës, patën përplasje verbale me punonjësit e Gardës tek hyrja e parlamentit.
Madje deputeti i PD-së, Flamur Noka, u hodhi miell në fytyrë punonjësve të Gardës.
“Po i shërbejnë narkoregjimit. Popullit opozitar nuk po i lejohet të ushtrojë asnjë të drejtë.”, e arsyetoi ai këtë veprim kur u pyet nga gazetarët.
Sot pritej të diskutoheshin ligji i lojërave të fatit, prokurimet publike dhe dekreti i Begajt për dekoratat. Rikthimi i basteve online është kundërshtuar më herët nga PD, e sot me kërkesë të PS u ndërrua rendi i ditës dhe votimi për këtë ligj u shty. Po ashtu është votuar kundër propozimeve të Lulzim Bashës, amendamentit për sigurinë kombëtare dhe rialokimin e 50 milionë eurove si ndihmë ushtarake për Kosovën.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë hedhur vezë mbi eskortën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Kjo ngjarje është regjistruar në ambientet e jashtme të Kuvendit pak pasi përfundoi seanca parlamentare. Eskorta e ministrit Balla ishte duke u larguar nga ambientet e Kuvendit./tvklan.al/