Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka quajtur të papranueshme dhe të pakuptimtë “mungesën e përgjegjësisë” së bartësve institucionalë lidhur me lirimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Hasan Dakaj, i cili është arrestuar në Serbi më 5 janar.
Selmanaj ka kërkuar angazhim nga Ministria e Drejtësisë lidhur me rastin.
“Është e papranueshme dhe e pakuptimtë mungesa e përgjegjësisë së bartësve institucionalë për lirimin e Hasanit. Askush nga instancat tona nuk di gjë për fatin e tij. Institucionet shtetërore dhe lokale s’kanë treguar as kujdesin minimal për gjendjen financiare të familjes së Hasanit. Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohet në të gjitha mundësitë e saj. Hasani meriton lirinë për të cilën luftoi. Hasani nuk guxon të harrohet nga ne”, ka thënë Selamanaj.
Sipas tij, informatat e familjarëve të Dakajt tregojnë se ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd.
“Hasani më 5 janar ishte nisur drejt Italisë. Informatat e familjarëve të siguruara nga avokati dhe jo nga institucionet tona tregojnë se ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd me akuzën kinse për krime të kryera gjatë kohës së luftës”, është shprehur Selmanaj.