Lajme

Gërvalla takohet me deputetët italianë, flasin për vizionin integrues euroatlantik

02/07/2024 11:17
nga:Sh R

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme nga Dhoma e Deputetëve në Itali, Giulio Tremonti.

Në takim është bërë e ditur se Gërvalla dhe Tremonti kanë diskutuar për progresin e arritur në sundimin e ligjit, demokratizimin, avancimin e të drejtave të njeriut, në veçanti të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, bashkëpunimin rajonal në siguri, zhvillimin ekonomik dhe integrim euroatlantik.

Gjithashtu, në komunikatë është njoftuar se Gërvalla në takim a folur edhe për aktin e agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë.

“Ministrja Gërvalla e njoftoi Kryetarin Tremonti dhe deputetët edhe për aktin e agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë dhe ritheksoi nevojën imediate për ndërmarrjen e veprimeve kundër atyre që në vazhdimësi po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, për fund thuhet se deputetët italianë shprehen interesimin e tyre rreth proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, sfidat dhe vizionin e qeverisë së Kosovës për të ardhmen e saj integruese.