Sporti

Mohamed Salah mund të thyejë çdo rekord të transferimeve në merkaton e verës

02/07/2024 08:53
nga:Mergim Rreci

AL Ittihad testoi gatishmërinë e Liverpool për të shitur Mohamed Salah me një ofertë prej 175 milionë euro verën e kaluar. Klubi anglez e refuzoi atë ofertë, por duket se ka vetëm pak muaj nga një ofertë e re, këtë herë edhe më fitimprurëse për sulmuesin e tij egjiptian.

Siç shkruan The Athletic, klubi nga Arabia Saudite nuk ka hequr dorë nga Salah. Al Ittihad është gati të dërgojë ofertën në vlerë prej 235 milionë euro, që do ta bënte sulmuesin 31-vjeçar transferimin më të shtrenjtë të të gjitha kohërave, 13 milionë euro më shtrenjtë se ai në të cilin PSG solli Neymar nga Barcelona në gusht 2017, transmeton GazetaBlic Sport.

Golashënuesi i 204 golave për Liverpoolin nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen e tij. Ai është nën kontratë me klubin edhe për sezonin e ardhshëm, por edhe largimi i Jürgen Klopp mund të ndikojë tek ai.

Salah ka luajtur 332 ndeshje për Liverpoolin dhe përveç 204 golave, ai ka edhe 88 asistime për klubin ku është që nga viti 2017 dhe me të cilin ka fituar titujt e Champions League dhe Premier League.

/GazetaBlic Sport/