Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë se vendimet e BQK-së janë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, duke folur për kërkesat e ndërkombëtarëve që të shtyhet vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit, thekson se euro është valuta e vetme me të cilën operon Kosova dhe çdo valutë tjetër është ilegale.
“Politikat e Bankës Qendrore, respektivisht vendimet e saja janë në kuadër të pavarësisë së këtij institucioni të bazuar në Kushtetutën e Republikës. Euro është e vetmja valutë me të cilën operon Kosova sipas Rregullores së BQK-së. Andaj, çdo valutë tjetër është ilegale dhe duhet t’i nënshtrohet rregullave monetare të Republikës së Kosovës”, shprehet deputeti.
Batusha potencon se dinari është përdorur nga Serbia si mjet destabiliteti në shumë fusha, derisa shton se pensionet serbët mund t’i marrin në euro.
“Dinari është përdorur nga shteti fqinj si mjet që pengon integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe administrative të Kosovës, rrjedhimisht ka krijuar destabilitet në shumë fusha. Askush nuk po u ndalon të marrin pensione nga Serbia, por ato duhet të bëhen në valutën Euro”, vlerëson deputeti i VV-së për Gazeta Blic.

Lidhur me deklaratat se mund të ketë tensione, ai thotë se vendimi është i brendshëm dhe s’ka të bëjë me pretendime për përshkallëzim, derisa është Serbia ajo që po provokon, ndërsa që shton se shtetet demokratike perëndimore shtyjnë përpara vlera që mbrojnë sovranitetin e vendit.
“Kjo është çështje e thjeshtë e kushtetueshmërisë dhe sovranitetit të Kosovës. Është çështje e brendshme dhe nuk ka të bëjë aspak me pretendimet për përshkallëzim të situatës. Ajo që po provokon dhe madje po sulmon një shtet sovran është Serbia dhe si deputet natyrshëm besoj që shtetet demokratike perëndimore shtyjnë përpara vlera, vlera që për një shtet është mbi të gjitha sovraniteti, mbrojtja e territorit, zbatimi i Kushtetutës dhe thellimi i demokracisë. E ky veprim i BQK-së është konform vlerave demokratike perëndimore”, deklaron deputeti Agon Batusha./Gazeta Blic/
Kritikat e ndërkombëtarëve në lidhje me dinarin, reagon kryeministri Albin Kurti


