Hungaria mbetet i vetmi shtet i cili po bllokon Suedinë që të jetë pjesë e NATO-s, e cila pak ditë më parë mori ratifikimin edhe nga Turqia.
Anëtarët e partisë qeverisëse Fidesz mbështetur nga kryeministri Viktor Orban bojkotuan seancën parlamentare të thirrur nga opozita për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në Aleancë.
I dërguari i SHBA-së në Budapest së bashku me ambasadorët e disa aleatëve të tjerë të NATO-s, përfshirë Danimarkën dhe Poloninë, morën pjesë në seancën e parlamentit hungarez ku nuk u arrit marrëveshja.
“Orban dëshiron të favorizojë Putin duke thyer unitetin e NATOS”, u shpreh një nga deputetët e opozitës.
Partia e kryeministrit Orban akuzon Stockholmin duke pretenduar se politikanët suedezë kanë thënë “gënjeshtra të hapura” për gjendjen e demokracisë së Hungarisë.
Ligjvënësit e Fidesz duan që kryeministri suedez Ulf Kristersson të shkoj në Budapest për të negociuar mbi këtë çështje me Orban.
Kristersson është shprehur se do të bëjë udhëtimin, por vetëm pasi Budapesti të votojë për anëtarësimin e vendit të tij në NATO.
Hungaria është i vetmi shtet anëtar i NATO-s që nuk ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë, proces i cili parashikon se duhet mbështetja e të gjitha vendeve anëtare që një shtet të bëhet pjesë e Aleancës.
Parlamenti Hungarez do të mblidhet sërish në javët e fundit të shkurtit.
Orban u kishte premtuar homologëve brenda NATO-s se vendi i tij nuk do të ishte i fundit për të nënshkruar anëtarësimin e Suedisë, premtim që nuk e mbajti pasi Turqia ratifikoi ofertën suedeze muajin e kaluar.
/Euronews Albania/