Gati 60.000 lëkundje janë regjistruar në juglindje të Turqisë, pas dy tërmeteve shkatërruese që kanë lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz, më 6 shkurt të vitit 2023, sipas qendrës shtetërore për katastrofa, AFAD.
Zona e tërmetit është duke u vëzhguar nga afër në Turqi dhe në rajonin përreth, ka thënë AFAD në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Epiqendra e tërmetit të shkurtit, provinca Kahramanmarash, i ka regjistruar mesatarisht 56 tërmete më të vogla në ditë, në vitin e kaluar, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu.
Tërmeti i shkallës 7.7 e pati goditur juglindjen e Turqisë në mëngjesin e 6 shkurtit, i përcjellë nga një tërmet tjetër 7.6 shkallësh, të njëjtën ditë.
Më shumë se 53.000 njerëz kanë vdekur vetëm në Turqi, sipas të dhënave qeveritare.
Rreth 6.800 persona tjerë kanë vdekur në Sirinë fqinje.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka përsëritur të martën zotimet për të rindërtuar rajonin.
Pak pas tërmetit, Erdoganin pati thënë se synon të ndërtojë rreth 300.000 njësi banimi brenda një viti në atë zonë.
Megjithatë, Qeveria e tij nuk e ka realizuar këtë qellim.
Erdogan ka thënë në fundjavë se 200.000 njësi banimi do të jenë gati në fund të vitit 2024. /REL