Perëndimi po insiston që vendimi i Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë të shtyhet.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dje pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe ambasadorët e tjerë të QUINT-it, tha se i ka kërkuar shtyrjen e vendimit dhe se nga kjo varet dhe cilësia e partneritetit mes Kosovës e SHBA-ve.
Lidhur me këtë, Jeta Statovci, deputete e Pristë Guxo, në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se BQK është organ kushtetues dhe i pavarur me rregullat e vendimet e saj dhe qëllimi i saj përmes këtij vendimi ka qenë ruajtja e integritetit financiar.
“Pikë së pari duhet kuptuar që BQK është organ kushtetues, që nënkupton që gëzon një nivel të autonomisë dhe pavarësisë mbi rregullat dhe vendimet e saj të marra, si dhe organ i cili është përgjegjës në raport me integritetin financiar, si dhe në raport me qarkullimin e parasë dhe politikën monetare në përgjithësi. Andaj, besoj që qëllimi parimor dhe kryesor i BQK-së në këtë rast ka qenë që të ruhet integriteti financiar, kemi parë që kohëve të fundit kemi pasur një volum të parave të falsifikuara, e sipas informatave të fundit del që ato po vijnë nga një shtet i BE-së, përmes Maqedonisë e në tregun e Kosovës. Mirëpo gjithashtu edhe në aspektet e tjera të cilat janë të bëjnë me shpëlarjen e parasë, pastaj edhe me financimin e grupeve kriminale, militarizimin dhe mundësitë e tjera të cilat derivojnë nga mungesa e transparencës. Besoj që vendosja e një rregulli i cili mundëson dhe transparencë duhet përshëndetur në cilësinë e saj”, thotë ajo.
Statovci potencon se në raport me aleatët, Kushtetuta e Kosovës është e themeluar bashkë me ta dhe se aleatët duhet vlerësuar vendimin për çështjen e dinarit.
“Në raport me palët tona aleate, mendoj që vetë Kushtetuta jonë e Kosovës është dakordancë vendore dhe ndërkombëtare, e cila ka kaluar edhe në procesin e saj të mbikëqyrjes dhe e dimë që çështja e një valute të vetme është pikërisht dhe element kushtetues dhe besoj që çkado që bie ndesh me parimet bazë të Kushtetutës dhe shtrirjes së të pasurit një realitet funksional në Kosovë, duhet përshëndetur, e besoj që duhet vlerësuar edhe nga ana e aleatëve tanë”, shprehet ajo për Gazeta Blic.
Por, pse presioni po bie Qeverinë derisa vendimi është i BQK-së dhe a ka të drejtë Qeveria të ndërhyjë në këtë vendim?
Deputetja e Guxo thotë se s’mund të ketë ndërhyrje nga Qeveria apo Kuvendi, teksa ka shtuar se BQK ka dhënë mjaft alternativa që një vendim i tillë të mos prekë pakicat.
“Çështja e rregullës monetare është e drejtë e BQK-së, e interferenca, qoftë e Qeverisë apo legjislativit apo palëve tjera diplomatike, padyshim që janë shumë të limituara dhe këtë e kemi edhe në bazë të ligjit, andaj janë çështje që i përkasin ekskluzivisht një organi i cili ka përgjegjësi, e besa do të kishte edhe përgjegjësi për mos veprim në qoftë se zhvillohen fenomene të tilla në tregun e Kosovës. Ne kemi parë që BQK ka qenë e zëshme në ofrimin e alternativave, duke e parë që një vendim i tillë të mos prekë absolutisht pakicat, në sensin që të krijohen mekanizma që asistenca, pagat dhe mekanizmat tjerë, të mundësohen të qarkullojnë lirshëm ashtu siç ekziston edhe baza ligjore, mirëpo të operohet në kuadër të një valute të vetme të cilën e ka dhe obligim kushtetues”, vlerëson Statovci./Gazeta Blic/
Hovenier flet pas takimit me Kurtin, insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së