Lajme

Gogic: Kjo është arsyeja që SHBA-të e BE-ja po reagojnë fuqishëm për çështjen e dinarit

02/05/2024 21:46
nga:Genita C

Analisti serb në Kosovë, Ognjen Gogic thotë se problemi me heqjen e dinarit është marrë në mënyrë të njëanshme.

Gogic në një prononcim për GazetaBlic thekson se, vendimi është marrë papritur dhe sipas tij nuk është bërë asgjë për të adresuar shqetësimet dhe problemet praktike të komunitetit serb në Kosovë

“I gjithë qëllimi i dialogut në Bruksel ishte që gradualisht të shfuqizohen institucionet serbe në Kosovë dhe të zëvendësohen me sistemin administrativ të Kosovës. Marrëveshjet e mëparshme çuan në shpërbërjen e policisë dhe gjyqësorit paralel serb dhe integrimin e stafit në institucionet e Kosovës. Në mënyrë të ngjashme, marrëveshjet për telekomunikacionin dhe energjinë çuan në themelimin e kompanive të reja kosovare për të ofruar shërbime përkatëse. Çështja është se në secilin rast është rënë dakord për largimin e strukturave serbe dhe janë ndërmarrë veprime për të mbyllur boshllëkun në ofrimin e shërbimeve”, tha Gogic.

“Problemi me heqjen e dinarit është se masa është marrë në mënyrë të njëanshme. Nuk u fol për veprimet që duhen ndërmarrë për të lehtësuar tranzicionin. Vendimi është marrë papritur dhe nuk është bërë asgjë për të adresuar shqetësimet dhe problemet praktike të komunitetit serb në Kosovë”, shtoi ai.

Gogic paralajmëron se nëse fluksi i parasë nga Serbia ndërpritet, mund të përkeqësohen kushtetet e jetes për serbët në Kosovë.

“Nëse fluksi i parasë nga Serbia ndërpritet papritur, kjo mund të ndikojë negativisht në pjesët më të cenueshme të komunitetit serb në Kosovë, jetesa e të cilëve varet nga pensionet dhe ndihma sociale financiare që ata marrin nga Serbia. Kjo mund të çojë në përkeqësim të mprehtë të kushteve të tyre të jetesës”, thotë Gogic.

Gogic thotë se arsyeja që ndërkombëtarët po reagojnë kaq fuqishëm është se mund të ketë pasoja pas këtij vendimi.

“Kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar po reagon kaq fuqishëm. Ata e pranojnë se Kosova ka të drejtë të kërkojë që çdo gjë të kalojë në euro, por i kuptojnë edhe pasojat që mund të ketë nëse ajo zbatohet në mënyrë të nxituar. Më e mira do të ishte të adresohej e gjithë çështja e dinarit në kuadër të dialogut të BE-së. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar kalimin e qëndrueshëm nga dinari në euro në vendbanimet serbe në Kosovë pa efekte anësore”, tha Gogic për GazetaBlic.

Analisti serb thotë se është e domosdoshme të ketë marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështjen e dinarit

Çështja e dinarit, Humolli për kritikat e ndërkombëtarëve: Po i ndihmojnë shovenizmit serb, kurrë s’kanë qenë korrekt me të drejtat e shqiptarëve

Reagimet për dinarin, Haradinaj: Euro si valutë e vetme përdoret edhe në Mal të Zi, 28% e popullatës janë serb dhe asgjë nuk e pengon zhvillimin e jetës së tyre

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare për çështjen e dinarit: Ky është i vetmi gabim i Qeverisë Kurti