Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se gjithë ky “presion” që po i bëhet Qeverisë së Kosovës pas vendimit për ndalimin e dinarit, ka vetëm një arsye.
Arifi në një prononcim për GazetaBlic thekson se, mungesa e komunikimit me ndërkombëtarët ka bërë që të jemi sot nën presion të tillë, teksa shton se mungesa e hapësirës për të elabëruar implemtimin është i vetmi gabim i Qeverisë.
“Gjithë kjo çështje ka të bëjë me mos komunikimin e duhur të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtar. Kritika më e madhe është që nuk iu ka dhënë shumë hapësirë për t’u elaberuar çështja e implementimit të këtij vendimi, në mënyrë që mos të ketë dëme anësore për serbët në Kosovë”, tha Arifi.
“Ky është i vetmi gabim që nuk është rregulluar si duhet. Në vendimin për dinarin duhet të gjendet mesi i artë, që i kënaq të dyja palët, Kosovën dhe partnerët ndërkombëtar”, shtoi ai.
Ndërsa, njohësi tjetër i çështjeve politike në vend, Fidan Ukaj thotë se thirrja e ndërkombëtarëve për shtyrje të vendimit për dinarin është e drejtë.
Ukaj për GazetaBlic thotë se, kjo çështje asesi nuk duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Vendimi për dinarin është i drejtë, ndërsa edhe thirrja e faktorit ndërkombëtar që ky vendim të shtyhet për një afat të caktuar është e drejtë, sepse ka qenë vendim i shpejtë dhe ne duhet t’i dëgjojmë partnerët tanë ndërkombëtar”, tha Ukaj.
“Ndërkohë, nuk duhet asesi të lejojmë që çështja e dinarit të jetë pjesë e procesit së dialogut “, shtoi ai.


