Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Qeveria e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit serb.
Kjo sipas tij, do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj serbëve lokalë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.
Ndaj deklarimeve të Hovenier ka reaguar Michael Roth, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman.
Në rrjetin social “X”, Roth shpërndau deklaratën e Hovenier, për të cilën tha se është e pabalancuar.
Sipas tij, në këtë deklatatë të SHBA-së do duhej të kishte mesazhe të qarta për sulmin terrorist serb në Banjskë.
“Një shembull tjetër për deklaratat e pabalancuara të SHBA-së (ose BE-së) për Kosovën. Më mungojnë mesazhe kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulm terrorist në Bajnska, rrëmbim apo shantazh) në rajon, e dashur @USAmbKosovo”, shkroi Roth.
Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht trynisë së madhe nga bashkësia ndërkombëtare për ta shtyrë zbatimin e saj.
Hovenier shprehu shqetësimin e tij për, siç tha, “konfiskimin e dinarëve serbë dhe një automjeti që po i transportonte ato nga Serbia për pagesa sociale” nga Policia e Kosovës të shtunën.
Qeveria e Kosovës thotë se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.
Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, tha të shtunën se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbim të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.
Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.