Lajme

BE-ja e shqetësuar me veprimet e Qeverisë, reagon Bajqinovci: Dëshirojnë të vazhdojë paligjshmëria

02/04/2024 16:13
nga:Genita C

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci thotë se institucionet paralele të Serbisë është dashtë të mbyllen tash e 23 vjet.

Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic thotë se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë antiligjore.

“Institucionet paralele të Serbisë është dashtë të largohen para 23 viteve, jo tash. Pasi këto nuk janë larguar nga partitë që kanë qenë në pushtet, ne duhet t’i largojmë përmes ligjit. Asgjë antiligjore aty nuk ka”, tha ai.

“Në të gjitha komunat këto struktura ilegale duhet të largohen. Qeveria e Kosovës, Policia e insititucionet e tjera të sigurisë këto struktura i kanë mbyllur në 6 apo 7 komuna”, shtoi ai.

Teksa BE-ja u shpreh e shqetësuar me veprimet e fundit të Kosovës, duke thënë se nxisin tensione, Bajqinovci thotë se nuk është diçka për t’u habitur reagimi i Bashkimit Evropian.

Sipas tij, reagim pothuajse të njejtë kanë pasë edhe për shumë çështje të tjera të cilat kanë qenë ilegale në Kosovës, përfshirë këtu dinarin serb.

“Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian reagon kështu, një reagim të tillë e ka pasë edhe për zgjedhjet serbe ku kanë deklaruar që serbët duhet të votojnë në Kosovë, nuk i kemi lejuar. Tjetër reagim i njejtë ka qenë edhe për dinarin serb i cili është ilegal në Kosovë”, tha Bajqinovci.

“Pra, nuk është hera e parë që BE-ja reagon me atë se duhet të vazhdojë paligjshmëria, në emër të asaj se kinse mund të ketë tensione, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë sepse sovraniteti po shtrihet në të gjitha fushat”, shtoi ai.

Bajqinovci thotë se janë duke vazhduar të punojnë për të kthyer ligjin në çdo cep të Kosovës.

“Krahas kësaj, ne duhet të vazhdojmë të kryejm punën ashtu siç na kanë mandatuar qytetarët e Republikës së Kosovës, duke kthyer ligjshmërinë më çdo cep të vendit tonë duke mos lejuar strukturat ilegale të Serbisë të veprojnë në asnjë komunë, fshatë apo kudo tjetër”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.

Kujtojmë se, në një deklaratë të lëshuar të dielën në mëngjes nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE, -së (EEAS) kërkohet që statusi i këtyre institucioneve të zgjidhet përmes dialogut në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.

BE-ja, i është bashkuar kritikave të SHBA-së për operacionet e autoriteteve të Kosovës në institucionet komunale në Kosovë të administruara nga Serbia.

“Bashkimi Evropian nënvizon me shqetësim të thellë operacionet e Policisë speciale në zyrat e institucioneve të udhëhequra nga Serbia në komunat e Dragashit, Pejës, Istogit dhe Klinës si dhe në objektet e organizatës joqeveritare Qendra për paqe e tolerancë në Prishtinë. Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative për kushtet jetësore të përditshme për komunitete e serbëve të Kosovës, dhe do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet bazike sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave alternativave në këtë moment”, thuhet në këtë deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi.

Sipas BE-së, mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës.

“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj BE-ja kërkon nga Kosova që t’i evitojë veprimet e njëanshme të cilat mund të nxisin tensione dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Gjermania mbështet reagimin e BE-së për mbylljen e komunave paralele dhe OJQ-së

BE shpreh shqetësim për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia