Sporti

“Askush nuk i tregonte Tottit si të luante”, De Rossi: Dybala vendos vetë në fushë!

02/04/2024 12:45
nga:E K

Roma dhe trajneri Daniele De Rossi do të kërkojnë fitoren e tretë radhazi në Serie A, teksa të hënën kryeqytetasit luajnë në transfertë ndaj Cagliarit.

Në konferencën për shtyp, “timonieri” i verdhekuqve theksoi se Paulo Dybala ka lirshmëri në fushë dhe mund të improvizojë lëvizje të cilat nuk vijnë nga trajneri. Nga ana tjetër, De Rossi zbuloi se Renato Sanchez është rikuperuar ndërsa Smalling pritet t’i bashkohet grupit javën e ardhshme.

“Ka lojtarë të cilët kanë talentin për të lexuar lojën dhe unë i kam dhënë lirshmëri Dybalës. E rëndësishme është që edhe lojtarët e tjerë ta kuptojnë pasi kur Dybala zbret më poshtë në fushë, një tjetër duhet të marrë pozicionin e tij. Për mua lojtarët që kuptojnë dhe lexojnë lojën janë shumë të rëndësishëm.

Unë kam luajtur për 20 vite me Tottin dhe atij nuk i ka thënë askush se ku duhej të vendosej apo se çfarë të bënte në fushë. Nëse në organikë ke një lojtar me shumë talent, atëherë lëre të lirë të bëjë çfarë të dojë. Duhet të gjejmë zgjidhje për të kuptuar më shumë lojën e Dybalës dhe me lojtarët që duhet të marrin vendin e tij në momentin që ai zbret për të marrë topin.

Të dëmtuarit? Renato Sanchez është i rikuperuar ka marrë pjesë në të gjitha stërvitjet. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm se si do ta menaxhojmë. Ndërkohë, Smalling është disi më mbrapa, por besoj se do të grumbullohet për ndeshjen e radhës ndaj Inter ose atë ndaj Feyenoord”, u shpreh De Rossi.