Sporti

Vigan Ademi: Besoj se sezonin e ardhshëm do të jemi pjesë e Superligës, humbja nga Suhareka nuk ndikon në ecurinë e sezonit

02/04/2024 12:12
nga:E K

Dje u zhvilluan katër ndeshjet e fazës së 1/8 të finales së Kupës së Kosovës, ku u mësuan 4 çerekfinalistët e parë.

Prishtina e Re u mposht nga Suhareka për ta ndaluar rrugëtimin në këtë garë, shkruan GazetaBlic Sport.

Realizatori i këtij takimi për Prishtinën e Re, Vigan Ademi komentoi humbjen e skuadrës së tij duke e deklaruar se kjo humbje nuk do të ndikoi në ecurinë e skuadrës në gjysmën e mbetur të sezonit.

“Nuk ndikon humbja, do të analizojmë performancën dhe do të mundohemi të përmirësohemi dhe të fokusohemi më shumë në objektivin kryesor. Objektivi kryesor im është që të vazhdoj me paraqitje sa më të mira këtë gjysmë sezon dhe të ndihmoj klubin në arritjen e objektivit.

Padyshim që po kemi shumë cilësi në ekip, jemi duke punuar shumë dhe besoj se sezonin e ardhshëm do të jemi pjesë e Superligës”, tha Ademi për GazetaBlic Sport.