Sporti

Lewandowski: Kam eksperiencë, nuk e humbas qetësinë

02/04/2024 10:57
nga:E K

Barcelona regjistroi fitoren e dytë radhazi në LaLiga teksa mposhti në transfertë me rezultatin 3-1, Alaves. Ishte një sfidë me fat edhe për Robert Lewandoskin, sulmuesin kryesor të katalanasve i cili u rikthye te goli në kampionat pas thuajse dy muajsh “thatësirë”.

Pas sfidës, polaku theksoi se sulmuesit “jetojnë” për të shënuar, megjithatë shtoi se ai vetë nuk e kishte përjetuar keq mungesën e golave për shkak të eksperiencës.

“Për mua si një sulmues është shumë e rëndësishme që të shënoj gola. Kam pasur shumë mundësi, ia dola falë edhe asistimit të Gundogan. Ishte e rëndësishme të fitonim dhe zhvilluam një ndeshje të mirë në të dyja fazat e lojës, si atë mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese.

Nëse nuk shënon kur mban rolin e sulmuesit është e vështirë, ngarkohesh në aspektin psikologjik. Megjithatë, kur më ndodh të mos shënoj në tre apo katër ndeshje, unë nuk e humbas durimin sepse kam shumë eksperiencë. Kemi edhe tre-katër muaj deri në fundin e sezonit dhe tani është momenti për të mos gabuar, duhet të punojmë dhe të përmirësohemi sepse i kemi kualitetet”, u shpreh Lewandowski.