Vendimi i Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, ka ngjallur reagime të shumta nga ndërkombëtarët.
SHBA-të shprehën shqetësimin se kjo çështje mund të shkaktojë tensione të reja nga serbët në veri.
Kundër vendimit përpos Serbisë, u deklarua edhe Bashkimi Evropian e Franca.
Lidhur me këtë, shqetësimin e ndanë me ambasadorin amerikan në vend edhe ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se me Kushtetutë dhe ligj e kemi vetëm monedhën e euros, por që vendimi i BQK-së është dashur të analizohet dhe të konsultohen aleatët ndërkombëtarë.
“I bashkangjitem shqetësimit të ambasadorit amerikan për dinarin, po zgjohemi në mëngjes dhe çdoherë po dëgjojmë lajme për një situatë tjetër, po na përsëriten ciklet e krizave të ndryshme. Sikur vitin e kaluar, edhe ky vit. Nuk ka asnjë qytetar të Kosovës që nuk është pro heqjes së dinarit nga përdorimi. Fatkeqësisht, sovraniteti i vendit nuk është shtrirë në mbarë territorin dhe përdorimi i dinarit si monedhë ka vazhduar gjithë këto vite. Pra, ne edhe me Kushtetutë dhe ligj kemi monedhë zyrtare vetëm euron. Mirëpo në këtë situatë, kur u nxor ky vendim i BQK-së, që nuk është risi sepse është në ligj dhe Kushtetutë, ndoshta është dashur të analizohej më mirë dhe të mos ketë nguti në këtë vendim, të riaktualizohej çështja e përdorimit të dinarit në pjesën veriore, pa konsultimin me aleatët dhe mos të shkakton kriza. Konsideroj, pasi që kemi paralajmërimit e Hovenierit dhe BE-së, kishte me qenë mirë që ky vendim të anulohet”, shprehet ai.
Ai thotë se Departamenti i Shtetit reagon për situata serioze dhe që mund të ketë problem, e kanë të bëjnë me mbrojtje të territorit të Kosovës.
“Kur kemi të bëjmë me SHBA-të, nuk mund t’iu flasim atyre për sovranitetin e Republikës, kur atë e mbrojmë bashkë me ta. Pra, edhe e kemi krijuar së bashku. SHBA-të, sikur Departamenti i Shtetit që reagoi, nuk reagojnë në çdo situatë. Ata reagojnë kur situatat janë shumë serioze dhe mund të ketë problem, në bazë të analizave të tyre, pra edhe çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes për territorin e Kosovës”, thekson Veseli për Gazeta Blic.
Ish koloneli potencon se Serbia mund ta përdorë këtë çështje për ndonjë skenar, duke i nxitur serbët sidomos në veri për trazira.
“Ndoshta tani është një skenar i Serbisë që tani është duke menduar ta realizojë, që lidhet me çështjen e sigurisë. Nëse mos përdorimi i dinarit në veri ndalohet, atëherë është një temë që Serbia do ta ngritë te qytetarët e rëndomtë në pjesën veriore të vendit dhe në emër të çështjeve sociale, në emër të asaj që ata s’po mund të marrin paga, pensione, ata mund të fillojnë me një protestë. Ka rrezik që Serbia e shfrytëzon si temë dhe ngrit panik te serbët në veri por edhe në qendrat tjera. Kjo është lufta hibride e tyre, ata çdo veprim të Qeverisë do të mundohen ta kthejnë në favor të vetin”, vlerëson ai.
Andaj, sipas, është dashur të prolongohet zbatimi i saj që të mos vihet te ndonjë trazirë.
“Prandaj ka qenë e nevojshme që të prolongohet zbatimi i saj, që të mos vjen deri te një trazirë, sepse nëse fillojnë trazira të ashtuquajtura të elementit social, të pensionistëve, ne do të dalim keq para bashkësisë ndërkombëtare. Këto janë çështje të rëndësishme për vendin dhe duhet shtrirë sovranitetin në tërë territorin, por të gjitha këto duhet të bëhen me analiza dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaron Afrim Veseli./Gazeta Blic/


