Sporti

Njoftohen klubet përkatëse, Interi siguron dy futbollistë për sezonin e ardhshëm

02/02/2024 14:07
nga:E K

Tajon Buchanan ishte futbollisti i vetëm që iu shtua organikës së Interit në merkaton e janarit, për të zëvendësuar kolumbianin Cuadrado, i cili do të mungojë të paktën deri në fund të muajit mars.

Megjithatë Marotta dhe Ausilio shfrytëzuan këtë periudhë për të siguruar edhe dy futbollistë të tjerë për verën e ardhshme. Kështu zikatlrit, sipas rregullave të FIFA-s, njoftuan Porton se kanë arritur marrëveshjen me sulmuesin iranian Mehdi Taremi, i cili do t’i bashkohet Interit me parametra zero, pasi në qershor i përfundon kontrata me portugezët.

Taremi pritet të firmosë për tre sezone me Interin dhe të përfitojë një pagë prej 3.5 milionë eurosh, si dhe një bonus firme, që mund të shkojë deri në 5 milionë euro.

Ndërkohë më 1 shkurt zikaltrit njoftuan edhe Napolin se kanë arritur marrëveshjen me mesfushorin polak Piotr Zielinski, të cilit gjithashtu i përfundon kontrata me ‘të kaltrit’ në fund të sezonit.

Edhe polaku pritet të firmosë për tre sezone me Interin dhe të përfitojë një pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon, teksa me këta dy futbollistë Interi hedh një hap të rëndësishëm drejt përforcimit edhe më shumë të organikës për sezonin e ardhshëm.