Sporti

Kupa e Afrikës/ Plotësohen çerekfinalet, Nigeria favorite për trofeun, Bregu i Fildishtë kërkon fitore ndaj Malit

02/01/2024 18:03
nga:E K

Mund të thuhet se plot gojë se kanë hyrë në fazën “më të nxehtë” të këtij kompeticioni. Prej 13 janarit të këtij viti, në Bregun e Fildishtë po organizohet edicioni i 34-t i Kupës së Afrikës, edicion, që deri më tani ka dhuruar goxha spektakël e surpriza të mëdha, siç ishte eleminimi i Ganës e Algjerisë, në fazën e grupeve, apo eleminimi i Marokut e Senegalit, në raundin e 1/16-ve, të turneut.

Tashmë kompeticioni ka hyrë në fazën e tij më “të nxehtë” atë të çerek-finale, me ekipet e mbetura në “garë” që do të bëjnë çmos për të sjellë trofeun në atdheun e tyre, por me 22 lojtarë në fushë dhe topin e rrumbullakët për të gjitha Kombëtaret nuk do të jetë aspak e lehtë, të paktën kështu ka treguar deri më tani ky edicion i këtij turneu.

Kështu, pas triumfeve ndaj Kamerunit e Nambisë, përfaqësueset e Nigerisë e Angolës do të përballen me njëra-tjetrën, në çerekfinalen e parë të këtij kompeticioni. Padyshim në letër, favoritë janë “Shqiponjat” nigeriane, me “bomberin” e Napoli, Victor Osimhen, që kërkon të udhëheq skuadrën e tij drejt një trofeu të madh, ashtu siç bëri edhe me “gjigantët” italianë, në fitimin e trofeut të 3-të kampion në historinë e tyre.

Ashtu si, përballja Nigeri-Angola, më datën 2 shkurt, ose e thënë ndryshe mbrëmjen e së premtes do të zhvillohet edhe një tjetër përballje çerekfinaleje, ajo mes Republikës Demokratike të Kongos e Guineas, me të parët që eleminuan Egjiptin, pa “faraonin”, Mohamed Salah, ndërsa Kombëtarja e “yllit” të Stuttgart, Serhou Guirassy eleminoi skuadrën e Guines Ekuatoriale dhe tashmë “bomberi” i Bundesliga kërkon një tjetër sukses për të avancuar më tej.

Raundi i çerekfinaleve do të mbyllet më datën 3 shkurt, me përballjen e parë që do të jetë ajo mes Kepit të Gjelbër dhe Afrikës së Jugut, përfaqësuese këto, le të themi, të një ranku, mirëpo ndryshe nga Kepi i Gjelbërt, Afrika e Jugut eleminoi një ndër pretendentët kyresorë për fitimin e këtij trofeun, “surprizën” e Botërorit të Katarit, Marokun e duke parë sa lehtësisht i mundën këta të fundit, me rezultatin 0 me 2, afrikano-jugorët shihen padyshim si favoritë.

Për të mbyllur këtë fazë mendojnë organizatorët e këtij eventi, me përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë, që pasi eleminuan “Luanët” senegalezë, të Sadio Mane, tashmë do të kërkojnë mbështetjen e tifozëve të tyre për të kaluar “pengesën” maleze, e vetmja pengesë që i ndan nga faza gjysmëfinale e këtij edicioni, me vendasit, që sëbashku me “Shqiponjat” e Nigerisë konsiderohen tashmë, si të vetmit favoritë në letër, për fitimin e edicionit të 34-t, të Kupës së Afrikës.

Ndërkaq, përsa i përket përcaktimit të çifteve gjysmëfinaliste, fituesi i çiftit Nigeri-Angola do të përballet me fituesin e çiftit Kepi i Gjelbër-Afrikë e Jugut, mbrëmjen e 6 shkurtit, ndërsa fituesit e çifteve RD Kongo-Guinea e Mali-Bregu i Fildishtë do të përballen me njëri-tjetrin, mbrëmjen e 7 shkurtit, për t’i lënë më pas vendin përballjes së vendeve të 3-ta, që do të zhvillohet më 10 shkurt e finales së madhe, që do të zhvillohet mbrëmjen e së dielës së ardhshme, më 11 shkurt.