Atmosfera e derbit të Italisë po ndihet gjithnjë e më shumë, me Interin dhe Juventusin që do të përballen në “San Siro” mbrëmjen e të dielës, për të vendosur jo pak edhe sa i përket rrugëtimit drejt titullit kampion.
Mbrojtësi brazilian i Juventusit, Gleison Bremer ka menduar për të “nxehur” edhe më shumë atmosferën, duke thumbuar zikaltrit për atë transferim të munguar në verën e 2022-shit.
“Isha pranë Interit, por kam zgjedhur skuadrën e duhur. Jam i lumtur që jam pjesë e Juventusit dhe do të duelojmë deri në fund për titullin me Interin. Ndeshja e të dielës është e rëndësishme, por jo vendimtare, pasi ka edhe shumë javë deri në fund”, u shpreh braziliani.
Mbrojtësi bardhezi nuk i kurseu elozhet as për dy shokët e skuadrës, serbin Vlahoviç dhe turkun Yildiz, të cilët po mbajnë peshën e repartit të sulmit këtë sezon.
“Vlahovic është shumë i fortë dhe po rritet gjithnjë e më shumë. Në stërvitje e këshilloj për lëvizjet pa top dhe shoh të përmirësohet. Edhs Yildiz është i ri, por shumë i talentuar. Në stërvitje luajmë ashpër ndaj tij, por nuk ankohet asnjëherë”, tha Bremer.
Mbrojtësi zbuloi gjithashtu se ish-kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini e ka këshilluar të shohë sa më shumë video të kundërshtarëve për të mësuar lëvizjet e tyre.