Lajme

Zgjedhjet e reja në veri, Osmani e takon kryetarin e KQZ-së

01/31/2024 14:20
nga:G C

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin.

Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, njoftoi Presidenca.

“Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Presidentja, sipas njoftimit, ka shprehur besimin e saj se “KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”.