Të martën për një vizitë në Kosovë ishte i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin e komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajçak theksoi se ka folur edhe lidhur me hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Lajçak tha se për sulmi në Banjskë diskutohet çdo herë në çdo takim që kur ka ndodhur. Ai tha se BE-ja pret që të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.
“Publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presin që të përfshirët të mbahen përgjegjës. Sa i përket hetimit, nuk jam unë personi i duhur për të folur se nuk ka hetim që udhëhiqet nga BE-ja, por janë vendet individuale që kanë hetuar apo po e hetojnë. Ne po marrim të dhënat nga shtetet anëtare dhe partnerët evropianë”, tha Lajçak.
Ai po ashtu bëri të ditur se në Prishtinë ishte për të diskutuar për dialogun dhe progresin që mund të arrihet para se institucionet e Bashkimit Evropian të shkojnë në zgjedhje.
“Vitin e kaluar kemi pasur rezultate të rëndësishme, si njohja e targave, por kishim përparim të vogël në rrugën për normalizimin e marrëdhënieve”, tha diplomati evropian.
“Më nuk ka nevojë të pyetet se çfarë të bëhet e as si të bëhet, por kur duhet të bëhet implementimi. Nëse më pyesni mua unë kisha thënë që sa më parë të bëhet implementimi. Kisha bisedime të gjata me Kurtin e Bislimin dhe tani do të analizojmë ato që kemi dëgjuar nga ta. Do të njoftojë shtetet anëtare të BE-së për këto takime”.
Lajçak thotë se bisedat ishin të sinqerta, por shton se paraprakisht për përmbajtjen e këtyre temave duhet të njoftojë shtetet anëtare të BE-së.
Ai tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe për vendimin e Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit në pagesat me para të gatshme në vend.
“E kemi përmendur këtë çështje në lidhje me vendimin e BQK-së, por nuk dua të veprojë si zëdhënës i qeverisë. Nesër do të kuptoni më shumë për këtë”.
Ndërkaq, nga Presidenca e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë për media për takimin ndërmjet Osmanit dhe Lajçak.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Presidentes, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç ‘rast Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces.
“Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në njoftim.
Edhe nga Kryeministria kanë lëshuar njoftim për media lidhur me takimin e Kurtit me ndërmjetësin e BE-së.
Siç njofton Qeveria, në këtë takim u diskutua për aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera, përfshirë respektimin e procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit.
Qeveria thotë se mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke, përmes një procesi të dialogut të barabartë, të balancuar e të drejtë për palët.
Pas takimit të përbashkët, pati edhe një takim ndërmjet Zëvendëskryeministrit të parë Besnik Bislimi dhe emisarit Lajçak.
Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ka takuar gjatë vizitës së tij në Prishtinë edhe komandantin e KFOR-it, turkun Ozkan Ulutash.
Sipas një deklarate të lëshuar nga KFOR-i, dy udhëheqësit kanë shkëmbyer mendime mbi rrugët dhe mjetet për të arritur një siguri të qëndrueshme dhe për të mbështetur stabilitetin në të gjithë rajonin, raporton Telegrafi.
Komunikata e KFOR-it përcjell gatishmërinë e tyre për të vijuar kontributin në mbështetje të sigurisë.
“Ishte një kënaqësi të takohesha me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak, dhe të diskutojmë mbi angazhimin tonë të përbashkët për një Kosovë dhe rajon të sigurt. NATO, KFOR është e përkushtuar të mbështesë kornizën e sigurisë, duke ndihmuar dialogun BE-ndërmjetues mes Beogradit dhe Prishtinës, për të mirën e të gjithë komuniteteve,” u shpreh në njoftimin e saj forca e KFOR-it.