Në kuadër të një vizite pune që sot ka nisur në Gjermani, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka takuar deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e CDU-së, Roderich Kiesewetter.
Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të MPJD-së, thuhet se është diskutuar “rreth gjendjes së sigurisë në Kosovë pas 24 shtatorit të vitit të kaluar, masat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE”.
“Me deputetin gjerman Kiesewetter, ministrja Gërvalla foli edhe për progresin e dukshëm në ekonomi, sundim të ligjit dhe forcim të demokracisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ministrja Gërvalla ka falënderuar deputetin gjerman, Roderich Kiesewetter, për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës.