Pas refuzimit të ofertës së parë, prej 25 milionë paundësh, “Londinezët” e Fulham kanë vendosur të bëjnë një ofertë të dytë, për “bomberin” shqiptar, Armando Broja, me 22-vjeçarin, i cili pavarësisht “elozheve” të teknikut, Maurizio Pochettino shihet çdo ditë e më larg “Bluve të Londrës”, të cilët po presin ofertën e duhur, për ta lënë “Legjionarin” të shkojë.
Sipas raportimeve më të fundit, të mediave britanike, të ashtuquajtur, “The Cottagers”, kanë gati një tjetër ofertë, ku fillimisht e kërkojnë Brojnë, në huazim deri në fundin e këtij sezoni, por me obligimin e blerjes për shifrën e 35 milionë paundëve, shifër kjo e cila duket të jetë goxha e kënaqshme për bordin e “Bluve”.
I rritur në “Cobham”, akademia e klubit të Chelsea, Broja ka spikatur jo pak me talentin e tij, duke mahnitur klube të mëdha, në elitën e futbollit anglez, Premier League, si “Ujqërit” e Wolverhampton, “Çekanët” e West Ham, Aston Villa apo edhe “Shqiponjat” e Crystal Palace, ndërsa me skuadrën e Chelsea ka arritur të zhvillojë në total plot 38 paraqitje, ku ka arritur të shënojë 3 gola, si dhe të dhurojë 3 asistime.