Lajme

Vizita e Lajçak/ Analisti: Thelbi është te zbatimi i aneksit të Ohrit – ndaj Kosovës do të ketë presion për Asociacionin

01/29/2024 21:29
nga:G B

Njohësi i çështjeve politik, Dritëro Arifi, ka folur për pritjet nga vizita e Miroslav Lajçak nesër në Kosovë, pas vizitës së sotme në Serbi.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vizita e Lajçak ka të bëjë me zbatimin e aneksit të Ohrit, për të parë nga afër me dinamikën e zbatimit të saj.

“Besoj se vizita e Lajçak ka të bëjë pikërisht me zbatimin e aneksit të Ohrit, për atë që palët janë dakorduar dhe zotuar para partnerëve amerikanë dhe evropianë se do ta zbatojnë këtë marrëveshje. Vizita e tij është për të verifikuar nga afër se ku qëndrojnë gjërat dhe si është dinamika e volumit të zbatimit të kësaj marrëveshje”, thotë ai.

Arifi thekson se në aspektin praktik kemi vetëm një nen pjesërisht të zbatuar.

“Mirëpo nga aspekti praktik kemi parë se vetëm neni 1 dhe ai pjesërisht është zbatuar nga të dyja palët. Hapa tutje nuk ka pasur”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.

Sipas tij, ndaj Kosovës do të bëjnë më shumë presion rreth zbatimit të Asociacionit.

“Nga Kosova do të presin shumë më shumë, do të bëjnë presion më shumë rreth zbatimit të Asociacionit apo të paktën dërgimit të draft statutit në Kushtetuese”, potencon Arifi për Gazeta Blic.

Ai shton se thelbi i vizitës në Kosovë e Serbi është angazhimi më i madh i zbatimit të planit franko-gjerman.

“Në thelb vizita e Lajçak në Kosovë e Serbi ka të bëjë me angazhimin më të madh të palëve për ta zbatuar planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit në një periudhë sa më të shkurtër të mundshme. Ky është qëllimi i vizitës. Dhe gjithashtu edhe mbështetja amerikane është në këtë rast në vijë me Bashkimin Evropian”, deklaron njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi./Gazeta Blic/

Lajçak nesër në Kosovë/ Musliu-Shoshi: S’pres risi – Qeveria të jetë konstruktive në raport me evropianët

O’Brien mirëpret vizitën e Lajçak: Të zbatohet Asociacioni, koordinohuni për dinarin, Serbia t’i mbajë përgjegjës sulmuesit e Banjskës