Bresti ndal Paris Saint Germain në “Parkun e Princave”, duke marrë një pikë falë barazimit 2-2. Skuadra modeste, që po befason këtë sezon, duk,e mbajtur vendin e tretë, merr pikë në kryeqytet pas plot 13 vitesh dhe ia del në një mbrëmje mjaft emocionuese.
Kryeqytetasit dominuan totalisht pjesën e parë dhe shkuan në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dy golave, të shënuar nga Asensio dhe Kolo Muani, përkatësisht në minutat 38’ dhe 45’.
Miqtë rihapën takimin me Camara në minutën e 55-të, ndërsa në të 80-ën ishte Pereira Lage që riktheu baraspeshën, duke bërë që në “Parc des Princes” të pllakosë heshtja.
PSG-ja provoi deri në fund të shënojë golin e fitores, por nuk ia doli, teksa në të 93-tën Barcola u ndëshkua edhe me karton të kuq, duke mbyllur ndeshjen pak sekonda para kohe.
Pas këtij barazimi, PSG mban kreun me 44 pikë, ndërsa Brest mbetet në vendin e tretë me 35 pikë, teksa vlen të theksohet se dy skuadrat do të përballen sërish më 7 shkurt në Paris, këtë herë për Kupën e Francës.