Sporti

Chelsea nuk ndalet në merkato, sfidon United për sulmuesin anësor

01/28/2024 20:16
nga:E K

Pavarësisht se ka shpenzuar më tepër se 1 miliardë paundë dhe ka transferuar më shumë se 18 lojtarë, Chelsea mbetet ende një ekip në proces rindërtimi.

Futbollistët e afruar nuk kanë performuar në bazë të pritshmërive dhe me mënyrën se si kanë luajtur Blutë e Londrës këtë sezon është konfirmuar diferenca e madhe që kanë me skuadrat e afirmuara si Manchester City dhe Liverpool.

Mauricio Pochetino është përpjekur të ndryshojë gjërat për mirë, por rezultatet e 2-herë fituesve të Champions League kanë pësuar shumë ulje-ngritje. Për këtë arsye, pronari amerikan, Todd Boehly, ka garantuar përsëri blerje në merkaton e verës.

Një emër shumë i lakmuar është i Michael Olise. Lojtari i lindur në Angli, por që përfaqëson Francën ka qenë futbollisti më i dalluar tek Crystal Palace në sezonet e fundit, dicka që konfirmohet qartazi edhe nga statistikat, ku në 80 ndeshje që ka luajtur me londinezët ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 20 asiste.

Klauzola e lirimit të Olise në sezonin e shkuar ishte 35 milionë paundë, por në verë pritet të jetë më e lartë. Chelsea do të ketë dhe konkurrencën e Manchester United për shërbimet e sulmuesit anësorit.