Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, ka konfirmuar të premten pezullimin trevjeçar nga futbolli të ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, pasi hodhi poshtë ankesën e tij.
Rubiales u pezullua për tre vjet nga të gjitha aktivitet e futbollit më 30 tetor, sepse puthi në buzë futbollisten Jenni Hermoso pa pëlqimin e saj, pas fitores së Spanjës kundër Anglisë në finale të Kupës së Botës së femrave në gusht të vitit të kaluar.
FIFA tha se e mori këtë vendim pas një seance dëgjimore. Megjithatë, ndaj këtij vendimi 46-vjeçari mund të ankohet sërish, tani në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
“Komiteti i Apelit ishte i bindur se Rubiales u soll në kundërshtim me parimet e Kodit Disiplinor të FIFA-s, neni 13, gjatë dhe pas finales së Kupës së Botës së grave”, tha FIFA.
Rubiales dha dorëheqje si kryetar i federatës spanjolle në shtator, duke thënë se nuk mund ta mbronte më pozitën pas kritikave të mëdha. 46-vjeçari ishte zotuar fillimisht se nuk do të jepte dorëheqje, pavarësisht trysnisë nga futbollistët, politikanët dhe grupet për të drejtat e grave.
Gjykata e Lartë e Spanjës propozoi të enjten që Rubiales të dalë para gjyqit për atë puthje, duke thënë se hetimi ka gjetur se puthja “nuk u bë me bashkëpajtim dhe ishte një veprim i njëanshëm dhe befasues”.
Gjykata kërkoi që para saj të dalin edhe ish-trajneri i kombëtares së grave, Jorde Vilda, si dhe Albert Luque, drejtori sportiv i kombëtares së burrave, dhe Ruben Ribera, shefi i marketingut në federatë, për dyshimet se i kishin bërë trysni Hermosos të thoshte se puthja ndodhi me pajtimin e saj.