Prej disa muajsh tashmë, “bomberi” shqiptar i “Bluve” të Chelsea, Armando Broja është një kthyer në një nga objektivat e shumë skuadrave, në merkato, mirëpo, pavarësisht mungesës së minutave dhe bashkëpunimit me shokët e tij të skuadrës, në fushën e blertë, sërish tekniku argjentinas, Maurizio Pochettino duket se beson te Broja dhe këtë e ka shprehur sërish.
“Numri 1” i pankinës së “Bluve të Londrës” gjatë një konference për shtyp, në prag të sfidës, së mbrëmjes së kësaj të premteje, ndaj Aston Villa, të vlefshme për trofeun e FA Cup risolli në kujtesë kohën kur drejtonte Tottenham, për të krahasuar gjëndjen e tanishme të Brojës, me atë të “superyllit” anglez, Harry Kane, në fillimet e veta, me 22-vjeçarin nga Malësia e Madhe, që dikur huazohej te Vitesse e Southampton, ndërsa rekordmeni i Bayern Munich, te Leyton Orient e Norwich.
“Unë ende besoj se ai ka potencialin për të qenë një sulmues i jashtëzakosnhëm. Procesi kërkon kohë! Unë gjithmonë e krahasoj atë me Harry Kane. Ai shkoi në huazim te Leyton Orient, Norwich dhe iu desh kohë të gjente ekuilibër. Në gjashtë muajt tanë të parë, ai nisi të bënte mirë vetëm në dhjetor dhe janar, dhe vetëm atëherë ne filluam të shihnim potencialin e tij të vërtetë”,- u shpreh fillimisht argjentinasi.
Pas krahasimit me “bomberin” anglez, Pochettino vijoi të fliste mbi gjendje aktuale të Brojës, teksa fillimisht foli për rikthimin nga dëmtimi i madh që pësoi sezonin e shkuar e më tej tentoi t’i hiqte “Legjionarit”, presionin nga “shpatullat”, teksa shtoi se nuk është e thjeshtë të krahasoshet me legjenda si Didier Drogba apo Jimmy Floyd Hasselbaink
“Ai është një lojtar që ka vuajtur një dëmtim të madh sezonin e shkuar. Por këtë gjë duhet ta lëjë pas. Kjo është e vështirë. Pastaj ne jemi te Chelsea, ai po përpiqet të japë rezultate duke u krahasuar me emra të mëdhenj si Drogba, Hasselbaink apo të tjerë. Kjo është e vështirë për një djalë të ri!”,- përfundoi strategu i pankinës.