Lajme

Hajdari viziton Hetemin, nënshkruajnë marrëveshje për hapjen e zyrës së ARBK-së në Leposaviq

01/25/2024 23:22
nga:Genita C

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka zhvilluar sot një vizitë në komunën e Leposaviqit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune Lulzim Hetemi.

Në njoftimin e ministrisë u bë e ditur se takimi u zhvillua në atmosferë shumë miqësore, gjatë të cilit kryetari Hetemi e njoftoi ministren Hajdari për ecurinë e punëve dhe progresin e arritur në komunë.

“Me këtë rast u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet ARBK-së dhe komunës së Leposaviqit, e cila u nënshkrua nga drejtorja e ARBK-së, znj. Lebibe Haliti dhe kryetari i komunës z. Lulzim Hetemi. Kjo marrëveshje mundëson që tash e tutje bizneset e reja të regjistrohen si dhe të marrin shërbime tjera në zyrën e ARBK-së, në komunën e Leposaviqit.” – thuhet në njoftimin e MINT.

Tutje bëhet e ditur se në komunë të Leposaviqit, do të vendosën së shpejti edhe Inspektorati Qendror i Tregut të cilët do të kontribuojnë në shtrirjen e mbikëqyrjes së tregut në veri të vendit.