Sporti

Laporta: U mësuam me favorizimet e Realit

01/25/2024 15:48
nga:E K

Në Spanjë nuk kanë fund polemikat dhe akuzat në lidhje me ndeshjen Real Madrid-Almeria (3-2), ku goli i Vinicius Junior duhej anuluar për prekje të topit me dorë nga sulmuesi brazilian.

Edhe pse kryesori pa gjithçka në VAR, ai zgjodhi ta cilësonte gol të rregullt, vendim që ka shkaktuar zemërim të madh në vendin iberik, sidomos te Barcelona.

Presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta reagoi në lidhje me këtë çështje, ku ndër të tjera tha:

“Jam një president që nuk fshihem nga situatat dhe mendoj se duhet të ngre zërin për këtë rast. Sepse shoh një padrejtësi që duhet denoncuar.

Duhen marrë masa. Konkurrenca nuk mund duhet të shtrembërohet më nga vendime si ai i së dielës në Bernabeu. Dhe nuk është vetëm rasti i së dielës.

I kemi analizuar situatat. Kundërshtarët tanë kanë fituar një sërë pikësh duke përfituar nga vendimet e favorshme të arbitrave.

Më duhet ta pranoj se tashmë jemi mësuar me këto situata, por gjithsesi do të vazhdojmë të luftojmë që gjërat të ndryshojnë”, theksoi kreu i kampionëve në fuqi të Spanjës.

La Liga kryesohet nga Girona. Surpriza e madhe e këtij sezoni numëron 52 pikë, një më shumë se Reali (-1 ndeshje). Barcelona mban vendin e tretë me 44 pikë.