Deputeti i Lëvizjes Vetvendosje, Enver Dugolli, thotë se nuk është e nevojshme të organizohen zgjedhje të parakohshme, ku thotë se opozita një kohë kërkonte zgjedhje kurse tani është më e qetë.
Dugolli në një intervistë për Gazeta Blic, tha se janë të përkushtuar në përmbushjen e premtimeve dhe programit qeverisës.
“Ne kemi stabilitet politik institucional, pra jemi në mandatin e dytë qeverisës, pasi që qeveria Kurti 1 ishte afatshkurtë, për shkak të situatave që u krijuan pas rrëzimit të qeverisë. Mirëpo, ne jemi pothuajse në vitin e fundit të mandatit dhe shumë projekte, shumë punë të nisura gjatë viteve do të kurorzohen me rezultate të prekshme, prandaj nuk shoh nevojën për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Opozita në një kohë kërkonte zgjedhje tash disi është më e heshtur, pra nuk po kërkon zgjedhje, gjithësesi ne jemi të fokusuar në përmbushjen e premtimeve dhe programit qeverisës”, tha Dugolli për Gazeta Blic.
Tutje ai thotë që të shkojë deri në fund mandati qeverisës, dhe mos të përsëriten situatat e mëhershme që vendi shpesh shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Tani për tani nuk e shohim si nevojë që vendi të shkoj në zgjedhje, të kryhet cikli i zgjedhjeve të shkon deri në fund pra mandati qeverisës, dhe të mos përseriten situata e mëhershme që vendi shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme shpesh, e madje edhe shumë shpesh ishin kriju situata si pasojë e jostablititetit politik dhe institucional”, shtoi ai.
Dugolli për koalicionin AAK-Nisma, thotë se janë dy parti që nuk janë shumë të mëdha, pasi që asnjëra prej tyre nuk e kishte kalu pragun zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit në vitin 2021.
“Është si situatë normale, pasi që tash jemi në vitin e fundit e mandatit qeverisës, dhe mendoj që partitë politike kanë të drejtë që të riorganiziohen dhe të shohin mënyrën se si ecin përpara. Kemi të bëjmë me dy parti që nuk janë shumë të mëdha, janë parti të vogla, njëra nuk e kishte kalu pragun në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, dhe tjetra sipas matjeve të opinionit publik, edhe ajo është në prag të kalimit të pragut zgjedhor. Këto lëvizje që i bëjnë janë të natyrshme sepse dëshirojnë që në cdo rrethanë të jenë parti parlamentare në zgjedhjet që do të mbahen herdokurdo”, potencoi ai.
Deputeti thotë se realizmi i projekteve të shumta për qytetarët ndikon që mbështetja të jetë edhe më e madhe për VV-në, pasi që thotë se ende ka kohë për zgjedhjet që do të mbahen me afat të rregullt.
“Matjet e opinionit publik janë këto periodiket, rezultatet e të cilave i kanë të gjitha partitë politike, dhe secila parti politike e din përafërsisht disponimin e opinionit publik. Mirëpo ne bazohemi në kontaktet dhe takimet që i kemi me qytetarë, me elektoratin tonë me strukturat tonë, të cilat shprehen edhe me përkrahje edhe me votim për zgjedhje kurdo që mbahen, mirëpo edhe realizmi i projekteve të shumta për qytetarët ndikon gjithësesi që kjo mbështetje të jetë ende edhe më e madhe, pasi ende ka kohë për zgjedhjet që do të mbahen në afat të rregullt”, përfundoi Dugolli për Gazeta Blic.


