Lajme

Paralajmërimi i BE-së për fonde, Shahini: Do të ndikojnë sanksionet dhe buxheti i ulët

01/24/2024 19:37
nga:G C

Kryetari i Aleancës së Bizneseve në Kosovë, Agim Shahini thotë se rritja ekonomike për trendin aktual që ka Kosova, nuk po mjafton.

Shahini në një prononcim për GazetaBlic thekson se, Kosovës i duhet shumë më shumë rritje në mënyrë që të performojë në standartin jetësor të vendit.

“Që nga shpallja e pavarësisë, kemi trend pozitiv për rritjen ekonomike, por rritja ekonomike në Kosovë nuk është e mjaftueshme”, tha Shahini.

“Me trendin aktual, rritja ekonomike në Kosovë është e vogël pavarësisht që vitin që lamë pas ishte mbi 3 dhe këtë vit është nën 4, është një rritje pozitive por kjo rritje në këto përmasa që Kosova i ka të dobëta, është e vogël në krahasim me pritjet dhe në krahasim me atë se çfarë i duhet Kosovës për të performuar në ngritjen e standartit jetësor të vendit”, shtoi ai.

Sipas Shahnit, buxheti i ulët dhe sanksionet që ka Kosova kanë ndikuar, por edhe do të ndikojnë në performancën e dobët të investimeve të huaja.

“Ditë më parë u publikuan disa të dhëna të blerjeve për kokë banori, ku Kosova u rëndit më e ulëta në Evropë. Poashtu, Kosova ka buxhetin më të ulët në Evropë dhe vitin e kaluar ka performuar si i vetmi shtet me sanksione ekonomike të BE-së”, tha Shahini.

“Të gjitha këto kanë dhe do të ndikojnë në performancën e dobët të investimeve të reja, sidomos nga vendet e Bashkimit Evropian, shto këtu edhe eksportet që vitin e kaluar kanë shënuar rënie me 100 milionë euro”, shtoi ai.

Shahini tutje shton se, në Kosovë nuk ka zhvillim ekonomik të brendshëm dhe investime të huaja.

“Këto kanë ndikuar që vendi ynë të ketë nevojë për reformë të të gjithave politikave që nxitin zhvillimin ekonomik të brendshëm, investimet e huaja, gjë që në Kosovë nuk po ndodhë”, tha Shahini për GazetaBlic.

Kosova dhe Serbia do të vlerësohen individualisht nga Fondi i BE-së për rritje ekonomike

Shala i PDK-së: Kosova larg aplikimit për fondet e BE-së, fajtore është loja e Qeverisë Kurti

Agusholli i VV’së: Qeveria Kurti pranon sfidat me krahë hapur