Lajme

Moska akuzon Kievin për rrëzimin e avionit ushtarak

01/24/2024 19:28
nga:Y I

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi të mërkurën forcat ukrainase për rrëzimin e një avioni ushtarak transporti ku humbën jetën të gjithë personat në bord, mes tyre 65 të burgosur ukrainas lufte që do të shkëmbeheshin.

Robërit e luftës po transportoheshin në rajonin Belgorod të Rusisë, thanë zyrtarët.

Deri në publikimin e lajmit nuk ka pasur komente nga zyrtarët ukrainas. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk ka mundur të konfirmojë se kush ndodhej në bordin e avionit të rrëzuar. Zyrtarët në Kiev bënë thirrje kundër shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara.

Përveç 65 robërve të luftës, avioni ushtarak i transportit kishte një ekuipazh prej 6 vetash dhe tre pasagjerë të tjerë, thanë zyrtarët rus të mbrojtjes.

Sipas deklaratës, radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni ukrainas i Kharkiv-it në kufi me Belgorodin. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e quajti sulmin “një akt terrorist.”

Moska njoftoi tha se një komision i posaçëm ushtarak ishte rrugës për në vendin e rrëzimit të avionit.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti, duke cituar ministrinë, tha se robërit ukrainas po transportoheshin në rajonin kufitar për t’u shkëmbyer me të burgosurit rus të luftës që mbahen nga Ukraina.

Forcat ajrore ruse janë përballur me një seri rrëzimesh të avionëve të tyre, ndërsa vëzhguesit thonë se është rrjedhojë e një numri më të madh fluturimesh mes luftimeve në Ukrainë.