Lajme

Kurti kërkon heqjen e sanksioneve nga BE-ja: Zgjedhjet në veri mund të mbahen muajt e ardhshëm

01/24/2024 18:14
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për të hequr sanksionet që janë vendosur ndaj Kosovës.

Ai akuzoi Brukselin për qasje të butë ndaj Serbisë, në një kohë kur rajoni është i mbushur me tensione të larta.

Gjatë një interviste për “Politico” të zhvilluar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kurti theksoi padrejtësinë e trajtimit të Kosovës nga BE-ja, duke veçuar veprimet e vitit të shkuar.

“Kritikuam ashpër për situatat e dhunshme në veri – një vendim i padrejtë – dhe si rezultat, BE-ja vendosi masa shtesë kundër nesh. Në anën tjetër, Serbia po afrohet me Rusinë për shkak të agresionit në Ukrainë, por nuk po përballen me sanksione,” u shpreh ai.

Verën e kaluar, BE vendosi një sërë masash si përgjigje ndaj dhunës që shoqëroi zgjedhjet lokale në veri, duke përfshirë bllokimin e disa takimeve kyçe të nivelit të lartë, pezullimin e projekteve të BE dhe pengimin e flukseve financiare drejt Kosovës.

Këto hapa u morën në një periudhë të tensioneve të rritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dy dekada pas luftës.

Përveç kritikave të ashpra ndaj veprimeve të qeverisë së tij gjatë zgjedhjeve të diskutueshme në veri, të cilat u bojkotuan nga serbët dhe çuan në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë, Kurti gjithashtu foli për përparimin e fundit në njohjen e targave të automjeteve ndërmjet të dyja vendeve, një hap i përshëndetur nga BE-ja.

Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të bërë që Brukseli të rishikojë vendimet për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Duke iu referuar BE-së, një zëdhënës i BE-së tha se “Kërkesat tona për deeskalim janë të qarta dhe janë komunikuar vazhdimisht. Masat mund të rikthehen mbrapsht, por ende presim që Kosova t’i plotësojë ato tërësisht.”

Kërkesat e BE përfshijnë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, një iniciativë që daton nga viti 2013, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të populluara me serbë.

Kurti, nga ana e tij, parashikon mundësinë e zgjedhjeve në këto komuna brenda pak muajve.

Ndërkohë, raportohet se më shumë se dhjetë vende evropiane kanë bërë thirrje për heqjen e kufizimeve ndaj Kosovës, duke iu referuar edhe rolit të Serbisë në incidentet e dhunshme si ato të ndodhura në Banjskë të Zveçanit.

Në të njëjtën linjë, kryeministri foli edhe për anëtarësim e Kosovës në NATO, pavarësisht se katër nga anëtarët e aleancës nuk e njohin ende si shtet.

Kurti shpreson në përfshirjen në programin Partneritet për Paqe, si një hap drejt bashkëpunimit më të ngushtë me aleancën.

Sipas “Politico”, qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin e mbrojtjes, si përgjigje ndaj agresionit serb.

Blirja e dronëve “Bayraktar” nga Turqia dhe pritja e raketave “Javelin” nga SHBA-ja tregojnë një përqendrim strategjik drejt forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes.

Këto veprime priten të ndikojnë në qëndrimin e Serbisë në rajon, ndërsa NATO vijon të përforcojë prezencën e saj ushtarake në Kosovë me trupa shtesë.