Lajme

“Lëvizja Vetëvendosje nuk mundet me i arrit 60% të votave në zgjedhjet e ardhshme”

01/24/2024 18:24
nga:Y I

Se në Kosovë priten të mbahen shpejt zgjedhje, po flitet nga pozita dhe opozita.

Pak javë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Edhe nga PDK-ja dhe AAK-ja po shprehen se ky vit mund të jetë vit zgjedhor.

Por ndryshe nga opozita, LVV-ja, po paralajmëron se do të dalin fitues dhe atë me mbi 60% të votave.

“Vetëvendosja është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, natyrisht që nuk na duhet të kemi zgjedhje, ne po vazhdojmë të punojmë. Kryeministri, ministrat dhe kuvendi po vazhdojmë punën tonë, jemi të gatshëm çdo moment të shkojmë në zgjedhje, nuk shoh të paktën deri në fundin e këtij viti që do të këtë zgjedhje. Më punën që po e bën Qeveria Kurti dhe ministrat e qeverisë, unë jam i bindur bashkë me ndihmën e diasporës se do të arrijmë 60 % të totalit të votave” deklaroi sot për “Gazeta Blic” deputeti i LVV-së, Halil Thaqi.

Por, të pamundur për me arrit një përiqindje të tillë të votave, po e sheh njohësi i zhvillimeve politike në vend, Arton Demhasaj.

Ai tha se të njëjtit kulminacionin e kanë arritur në zgjedhjet e fundit së bashku me Vjosa Osmanin, me mbi 50% të votave dhe se deklarata të tilla janë fillim i fushatës elektorale.

“Eshtë e pamundur se Vetëvendosja as me arrit me e arrit përqindjen që e ka pas në zgjedhjet e fundit parlamentare sesa me shku tek përqindja që ata flasin, 60%. Mendoj se kjo deklaratë është fillim i fushatës, për shkak se në zgjedhjet e fundit LVV-ja e ka mbërrit kulminacionin e saj, mbi 50% së bashku me individë që dolën nga LDK-ja siç ishte zonja Osmani apo individë të tjerë që sot janë brenda partisë Guxo” deklaroi Demhasaj për “Gazeta Blic”.

Demhasaj, tha se testi më i mirë për LVV-në kanë qenë zgjedhjet lokale ku arriti të fitojë vetëm tri komuna.

“Duke marrë parsysh edhe qeverisjen e tyre 3-vjeçare deri më tani, që pothuajse asgjë nuk ka ndryshu në këtë vend në asnjë prej sektorëve të mundshëm përpos se është keqësu situata në shumë sektor.  Testi më i mirë për partinë në pushtet kanë qenë zgjedhjet lokale, ku e kemi pa që LVV-ja me zor ka arrit me i marr tri komuna për me qeveris. Kjo është njëfar pasqye e Vetëvendosjes për me e pa se është apo jo aty ku ka qenë me 14 shkurt” deklaroi analisti Demhasaj në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

Deputeti i VV-së: Jemi të gatshëm për zgjedhje, do t’i fitojmë 60 për qind të votave

Time Kadrijaj: LVV-ja, 60% as që munden me i ëndërru, i kanë zhgënjyer qytetarët!