Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje lidhur me prioritet e Qeverisë së tij për këtë vit, për secilën fushë. Duke folur për fushën e drejtësisë, Kurti ka përmendur Vettingun, që tha se po merr rrugë, derisa tha se tash e 11 muaj po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky Ligj është dërguar në Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Tutje, Kurti tha se luftën kundër korrupsionit këtë vit do ta bëjnë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit.
“Vettingu po merr rrugë, pas Aktgjykimit në fund të vitit që lamë pas, nga Gjykata Kushtetuese. Ky proces përveçse premtim, është domosdoshmëri që na dëshmohet çdo ditë. Krahas tij, e teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit në këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit. Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës si prioritet tjetër i yni, do të vijoj tutje me funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, por gjithashtu, me finalizimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, që nga ardhja e tij në krye të Qeverisë, në Kushtetuese i janë dërguar 11 ligje. I fundit është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Për pesë prej ligjeve, Kushtetuesja tashmë e ka thënë fjalën e saj.