Lajme

Ministri çek: Integrimi i Kosovës në BE lidhet ngushtë me dialogun me Serbinë

01/24/2024 12:22
nga:G B

Ministri i Çekisë për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, ka thënë se është i kënaqur për vizitën e tij në Kosovë dhe me progresin domethënës që sipas tij, Kosova e ka bërë.

Dvorak tha se Çekia në afatgjatë ka qenë mbështetëse e përpjekjeve euroatlantike të Kosovës, teksa përmendi edhe liberalizimin e vizave.

“Po ashtu, jam i kënaqur që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht, sikurse unë kam udhëtuar drejt Kosovës dhe më vjen mirë që konfirmoj se mbështetja e vazhdueshme e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në KiE”.

“Siç e ritheksova, Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt i Kosovës dhe kam dëshmi për këtë. Një shprehje e miqësisë përfshin po ashtu të qenit i hapur dhe i sinqertë dhe do të më pëlqente të them që për integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin”, tha Dvorak.

Tutje, ai tha se Çekia është e gatshme që t’i ofrojë Kosovës mbështetjen, udhëzuesin dhe ekspertizën për t’i ndihmuar Kosovës për t’i arritur qëllimet e saj evropiane, teksa u shpreh i bindur se Kosova do të ketë sukses në këtë aspekt.