Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha qytetarëve, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme. E, ky është edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje, ku viktima kryesisht janë gratë që keqtrajtohen në mënyra të ndryshme zakonisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Zhur të Prizrenit, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 37-vjeçarja ka pohuar se bashkëshorti konsumon alkool dhe në të tilla raste bëhet i dhunshëm.
Si pasojë e dhunës me të cilën u përball, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Pasi i është nënshtruar testit për alkool, 50-vjeçari ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.