Lajme

Policët në kryeqytet do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor

01/23/2024 14:25
nga:N K

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka njoftuar të martën drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK), Gazmend Hoxha, për të gjitha shërbimet që jepen falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë për të gjithë pjesëtarët e Policisë.

Sadiku tha se kjo marrëveshje do hyj në fuqi nga një shkurti dhe se ky është një vendim që ka marrur Asambleja Komunale e Komunës së Prishtinës.

“Ne e kemi njoftuar drejtorin e policisë në detaje rreth shërbimeve të marrëveshjes se nga 1 shkurti do të përcjellin një mesazh tek të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit në Prishtinë, edhe  shërbimi shëndetësor i policisë do të bashkëpunoj me neve”

Ndërkaq Drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha, tha se ky është një vendim i drejt dhe i mirëpritur për policinë.

“Ne u njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur, ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që ti shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti, po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha ai.