Lajme

Samiti i Shkupit/ “Fraza boshe të përsëritura, Kosovës presion për Asociacion – Serbisë asnjë sanksion”

01/23/2024 13:40
nga:G B

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për Gazeta Blic, ka komentuar deklaratat e dhëna dje në Samitin e Shkupit.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se janë shumë afër anëtarësimit në BE, por që ende duhet punë.

Ai shtoi se do të ketë pasoja për shtetet që tentojnë ta pengojnë njëri tjetrin në rrugën e anëtarësimit.

Po ashtu, tha se SHBA i jep mbështetje Marrëveshjes së Ohrit në dialogun Kosovë-Serbi.

Lidhur me këto, Pula thotë se ishin fraza boshe të ripërsëritura, sidomos në raportet Kosovë-Serbi.

“Si edhe herëve të tjera kishte thirrje për bashkëpunime ndërmjet vendeve në rajon, por edhe fraza boshe të ripërsëritura specifikisht mbi relacionet Kosovë-Serbi, e që në thelb, problemi nuk u deklarua nga zyrtarët evropianë e ndërkombëtarë, që ka të bëjë me domosdoshmërinë e evitimit të rrezikut nga Serbia për fqinjët e saj, siç ishte rasti me agresionin ushtarak nga grupet para-shtetërore serbe brenda territorit të Kosovës, të cilat ishin të mbështetura nga Beogradi zyrtar. Prandaj, zyrtarët folën por diçka tjetër thanë”, thotë ai.

Sipas tij, sado që ka deklarata, ndaj Serbisë s’ka pasur sanksione për mos-përfillje të këtyre kërkesave nga ndërkombëtarët, derisa Kosovës i bëhet presion për Asociacion, ndërsa ndaj Serbisë ka tolerime.

“Natyrisht deklarimet mbështetëse dhe kërkesat për zbatueshmëri për dokumentet specifike, nga ana e zyrtarëve evropianë e ndërkombëtarë janë të pareshtura, por, deri më tani, në asnjë rrethanë nuk kemi parë që fqinji ynë verior Serbia, të jetë vënë nën masa apo sanksionuar, për mos-përfillje të këtyre kërkesave të evropianëve apo ndërkombëtarëve! Kërkesat e pareshtura dhe presioni që i bëhet Prishtinës zyrtare për Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe (“Zajednicës”) është pothuajse i paimagjinueshëm, ndërkaq Beogradit zyrtar si palë në dialog i bëhen tolerime dhe ia pranojnë qasjen destruktive në këtë proces”, vlerëson njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare për Gazeta Blic.

Ai shton se i gjithë vendi po qëndron në bllokadë dhe blloku i BE-së ka rënë nga provimi për shkak të këtyre bllokadave.

“Blloku i Unionit Europian (UE-ja) tashmë ka rënë nga provimi pikërisht për bllokadat që bëhen nga shtetet anëtare të UE-së ndaj shteteve të rajonit, si p.sh., për shkak të mos-ndryshimit të Kushtetutës si kërkesë e Bullgarisë, Maqedonia nuk hap kapituj për negociata!; për shkak të vetos dhe kushtëzimeve nga shteti Helen, Shqipërisë nuk i lejohet të hap kapituj të negociatave!; për shkak të ngecjes së reformave në Bosnje dhe Hercegovinë lidhur me çështjet e Republika Srpskës, nuk mund t’i fillojë negociatat!; për shkak të ngecjes së reformave dhe mungesës së stabilitetit politik-institucional prej kohësh, Mali i Zi nuk po arrin të mbyll asnjë prej negociatave për kapituj!; për shkak të refuzimit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër federatës Ruse, si dhe kërkesave të opozitës, Serbia nuk hap e as nuk po mbyll ndonjë negociatë për kapituj!; si dhe për shkak të mos-njohjes së statusit juridik-politik nga pesëshja e UE-së, Kosovës nuk i është trajtuar kërkesa për statusin e vendit kandidat, e rrjedhimisht i gjithë rajoni po qëndron në bllokadë. Prandaj, deklarimet e tilla, nga kushdo qofshin, janë të pabalancuara mbi parimet universale. Andaj, edhe zyrtarët e shtetit amerikan duhet ta thonë se vetë blloku i UE-së, ka përdorur standarde bllokuese ndaj nesh si rajon, standarde që do t’i refuzonin t’i pranojnë për vete”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/